Lajme Shqip Wednesday, 10 August 2011 15:31

Tiranë – Roland Keta, kryetar i Bashkisë së Bulqizës, ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar në qytetin verior të vendit.

Keta ka kërkuar nisjen e menjëhershme të bisedimeve midis minatorëve dhe firmës “ACR”, për të zgjidhur këtë situatë.

“Qetësia dhe toleranca, janë e vetmja rrugë për tejkalimin e kësaj situate” theksoi ai, duke iu referuar protestës së sotme në Qafë Buall ku një pjesë e minatorëve u përplasën me forcat e policisë.

Ndërkohë që edhe kreu i konfederatës së sindikatave, Kolë Nikolla, ka ruajtur të njëjtën linjë, duke i bërë thirrje minatorëve të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve. Në një konferencë për shtyp, Nikolla theksoi se vetëm dialogu mund të sjellë një marrëveshje konsensuale dhe mund t`i japë zgjidhje situatës së rëndë në minierë.

Minatorëve të Bulqizës, në grevë prej 17-të ditësh i janë bashkangjitur edhe familjarët e tyre, të cilët në mëngjesin e ditës së sotme, ashtu siç kishin paralajmëruar, kanë bllokuar rrugën kombëtare, ndërsa u përplasën me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ku këta të fundit ndërhynë për të zhbllokuar rrugën.