Lajme Shqip Monday, 08 October 2012 10:59

TIRANË -Ish i burgosuri politik, Gjergj Ndreca i vë flakën vetes në tentativë për tu vetëflijuar. Teksa sot mbushen 17 ditë nga greva e urisë, Ndreca ka vendosur të ndërmarrë aktin e rëndë në gjendje të dëshpëruar. Ndreca mësohet se i ka vënë flakën vetes me benzinë, ndërkohë që grevistët e tjerë kanë ndërhyrë për të shuar flakët. 

Mësohet se në tentativë për të shuar flakët, grevistit Llazi Koçi, i ka rënë të fikët. Ish të burgosurit politik janë dërguar menjëherë në repartin e djegieve në QSUT me makina të rastit, ku mësohet se gjendja e tyre është e rëndë. 

Përfaqësues të opozitës në Komisionin e Ligjeve, gjatë seancës së sotme kanë kërkuar seancë dëgjimore në Kuvendin e Shqipërisë për grevën e ish të burgosurve. Ndërkohë, deputetë socialistë bëjnë me dije se pas aktit ekstrem të Ndrecës vihet re një shtim i forcave policore pranë Parlamentit dhe Kryeministrisë. 

Ish i përndjekuri Skënder Tufa ( pak para nisjes së tubimit), në një pronocim për ‘NEWS 24’ kërkoi sensibilizimin e të gjithëve, pasi sipas tij kërkesat e tyre janë të njëjta me ato qytetare, ndërkohë i bëri thirrje policisë të qëndrojë larg tubimit. Një ditë më parë, ish të burgosurit politikë paralajmëruan mbajtjen e një proteste para Parlamentit, 18 grevistët u shprehën dje se “nuk lëkunden nga kërkesat e tyre ekonomike dhe politike” deri në vetëflijim. 

POLICIA ARESTON GREVISTIN PAL SHQEFNI: I VURI FLAKËN NDRECËS
11:36
Policia ka shoqëruar grevistin Pal Shqefni për vendosjen e zjarrit ndaj Gjergj Ndrecës. Burime nga policia bëjnë me dije se Ndreca u lye me benzinë, ndërsa Shqefni dyshohet se i vuri flakën.

GRUAJA E NDRECËS: BERISHA NA BRAKTISI, NUK IA FAL
Ora 11:00
Bashkëshortja e ish të përndjekurit politik, Gjergj Ndreca, i cili sot ndërmorri aktin ekstrem të vetëflijimit, hodhi poshtë sulmet që media të caktuara po përpiqen ti bëjnë bashkëshortit të tij, ndërkohë tha se gjendja e Ndrecës nuk ka qënë e mirë ditët e fundit.

“Mjekët thonë se është jashtë rrezikut për jetën, por nuk i dihet, e di Zoti. Ka marrë djegie në trup, në fytyrë. Nuk ma ha mendja të jetë kjo gjë, kam 21 vjet martuar dhe e di çka bërë Gjergj Ndreca për demokraci dhe unë kam qënë studente e ‘92, kam dëgjuar akuzat, hanë apo nuk hanë bukë dhe është revoltuar. Është normale pasi Gjergji ka 3-4 muaj që nuk është në gjendje të mirë. Ka ankthe”,- deklaroi Ina Ndreca, bashkëshrotja e Gjergj Ndrecës, në një prononcim për ‘NEWS 24’. 

Gruaja nënvizon se bashkëshorti i saj që në vitet “90 lufton për demokracinë, ndërkohë i bëri thirrje Qeverisë që të verë dorën në zemër për këtë shtresë të shoqërisë. “Burri im që në ‘93 ka hyrë në grevë urie në kohën kur Berisha i nxorri me dhunë. Në ‘98 ka hyrë në grevë në Laç për Sali Berishën për të rrëzuar Fatos Nanon. Kjo grevë nuk është politike. Ai është demokrat dhe nuk do kthehet socialist. Unë jam nënë me 4 fëmijë pa shtëpi pa punë, por kjo nuk ishte zgjidhja e duhur, këtë nuk ja fal.Qeveria shqiptare të vërë dorë për këta njerëz, se janë pa bukë, dhe nuk kanë mundësi të shkollohen”, deklaroi e përlotur bashkëshortja e Gjergj Ndrecës.

PROTESTA E ISH TË PËRNDJEKURVE: FLAKËN NA E VURI BERISHA
Ora 10: 37
Tubimi i sh të përndjekurve ka nisur me pak minuta më  vonë pas aktit ekstrem të Gjergj Ndrecës, i cil ka tentuar të vetëflijohet me benzinë. Në fjalën e tyre ish të përndjekurit kanë fajësuar Qeverinë për heshtje, ndërkohë kanë fajësuar edhe mungesën dhe sensibilizimin.  “Flakën Gjergj Ndrecës ja vuri Sali Berisha se ishte flakë e paralajmësuar dhe Qeveria tha se kanë hyre vetë. Por, çfarë kërkonte ky Kryeministër kriminel. Gjergj Ndrecën e dogji edhe indiferenca jonë. Nëse në këto 22 vjet do ishim në këmbë nuk do ishim këtu”. 

Ish të përndjekurit shprehen se do qëndrojnë derisa kërkesat e tyre për kthimin e dëmshpërblimit për vitet e burgut, repsketi i figurës së tyre dhe kërkesa për hapjen e dosjeve të marrin zgjidhje. “Saliu kriminel, Ndreca hero, Gjergj Ndrecën e dogji Saliu”, ishin disa nga parullat që u hodhën gjatë tubimit që ish të përndjekurit mbajtën para selisë së kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë. 

“U bëjmë apel qytetarëve çdo të hënë të bashkohen me ne tek kryesia dhe çdo të enjte të jemi bashkë tek Parlamenti. Grevën mos të bëjë gabim ta prekë njeri me dorë se këtu është demokracia”, bëri thirrje ish i përndjekuri Skënder Tufa. 

MIQTË E  NDRECËS: NA LA AMANET FËMIJËT
Ora 10:15
“Sipas doktorëve, Ndreca është dicka më mirë, djegiet i ka marrë në fytyrë dhe gjoks. Flakën ia vuri vetes, mori çakmakun nga xhepi, pastaj erdhën dhe shokët me batanije, por po të përpijnë flakët as zjarfikësit nuk të bëjnë derman. Amanet kalamajtë , me lini të vdes rehat”,- deklaroi Ylli Gjonca per NEWS24.

“Akti tepër burrëror, pasi edhe në ditët më të vështira e ka treguar. Gjergji nuk e kishte paralajmëruar këtë veprim”, tha Lirak Bejko shoku i ngushtë, nga QSUT.

KONFEDERATA E SINDIKATAVE SOLIDARIZOHET ME ISH TË PËRNDJEKURIT
ORA 10:00
Ashtu sic ishte paralajmëruar një ditë më parë, ish të përndjekurit politikë pritet të nisin protestën e tyre par ambienteve të Parlamentit. Protestës së ish- të përndjekurve i është bashkuar edhe Konfederata e Sindikatave. Ish i përndjekuri Skënder Tufa, kërkoi sensibilizimin e të gjithëve, pasi sipas tij kërkesat e tyre janë të njëjta me ato qytetare. 

“Sot kemi aktin sublime të Gjergj Ndrecës. Ndreca iu përgjigj heshtjes së qeverisë me vetëmohim. Sot është cënuar demokracia. Kjo është gjendja e demokracisë reale. Ne të burgosurit politikë po ju japin shembullin se kjo është dhunë. Një pensionist që nuk pi kafe, i papunë, minator, rinaia aktive të gjtihë të bëhemi bashkë dhe ti japin një apel opinionit kombëtar dhe ndërkombëtarë. Kush e ndjen shtypjen cdo ditë të ngrihet.”, tha për NEWS24, ish i përndjekuri Tufa.  

Tufa i bëri thirrje policisë e cila sipas tij mban në vëzhgim të plagosurit në spital si dhe grevistës në tubim , të largohet.
“Gjendja e Ndrecës është e rëndë, Hyrja është bllokuar me policë. Sa të mbarojmë tubimin ne do shkojmë atje dhe do hyjmë me dhunë. Policia na ka rrethuar, të largohet policia.

Ish të përndjekurit politikë nisën mbrëmjen e 22 shtatorit një grevë urie, e cila pritet të zgjasë, për shkak se Qeveria nuk mbajti premtimet për dëmshpërblimin e viteve të tyre të burgut. Sipas ish të përndjekurve politikë, gjendja aktuale e tyre është tepër e rëndë, ndërsa dëmshpërblimi u shty për një afat të pacaktuar. Ata theksojnë se gjithçka ndodhi për shkak të tjetërsimit të ligjeve që Qeveria bëri në kundërshtim me Kushtetutën. (LajmeShqip.com)