Lajme Shqip Wednesday, 10 October 2012 12:37

TIRANË -Pas Gjergj Ndrecës, një tjetër ish-i i burgosur politik ka tentuar ti japë fund jetës me vetëdjegie.

Lirak Bejko i ka vënë flakën vetes pas mesditës së të mërkurës, duke pësuar plagë të renda. Kanë qenë vetë grevistët e tjerë që kanë ndërhyrë në kohë duke shuar me batanije flaket në trupin e Bejkos. Aktualisht ai ndodhet në spital ku po merr ndihmën e parë mjekësore. Mjeket e QSUT-se thone se Bejko ka djegie te shkalles se trete dhe se 50 per qind e trupit te tij eshte e demtuar. Gjithashtu ka marre plage te lehta dhe nje tjeter grevist qe ju hodh siper me nje batanije per te shuar flaket.Mjeket thone se Agim Kollçaku ka marre mjekim ambulator dhe eshte kthyer ne ambientet e greves.  Ky është incidenti i dytë i rëndë brenda pak ditësh me ish-të përndjekurit.

Të hënën grevisti Gjergj Ndreca në mënyrë demonstrative mori veprimin ekstrem të tentativës për vetëflijim në shenjë proteste për mosreagim të Qeverisë ndaj kërkesave të tyre.

Kreu i Shoqatës së ish të Dënuarve Politikë Skënder Tufa në një prononcim për median pas aktit të rëndë deklaroi se të gjithë grevistët e urisë janë të vendosur që të vetëflijohen dhe se ata kanë përgatitur një listë ku kanë përcaktuar protestën ekstreme të radhës. “Këto janë akte shumë të rënda, por janë të fundit që mund të bëjmë, sepse nuk kemi cfarë të humbasim më. Ish të dënuarit janë kufoma që ecin në rrugë pa dinjitet”, thotë Tufa. 

Grevistët: Do të vetëflijohemi të gjithë

Të duhen vetëm pak minuta brenda çadrës së grevës së urisë së ish të përndjekurve politikë për të kuptuar se ata njerëz nuk kanë tashmë asgjë për të humbur. E shkuara në burgjet komuniste ka shënjuar thellë jetën e tyre, e tashmja është varfëria dhe e ardhmja premton skamje edhe për trashëgimtarët. Aktivisti i njohur amerikan kundër diskriminimit, Martin Luter King i Riu do të paralajmëronte shoqëritë moderne se “nuk kishte asgjë më të rrezikshme sesa të lejoje që në shoqëri të formohej një segment njerëzish, të cilët nuk ndienin se kishin aksione ne të dhe për pasojë nuk kishin asnjë për të humbur”.Ish të përndjekurit kanë dalë në konkluzion se vetëm rritja e masave ekstreme do të mund ta bëjë këtë grevë kuptimplotë.

Plani B vazhdon

Një nga drejtuesit e grevës së urisë, Skënder Tufa, tregon se izolimi i mëtejshëm dhe masat ekstreme do jenë dy elementet ku do të bazohet greva e tyre në ditët në vijim. “Energjitë po na shterrin dhe durimi po na soset. Plani B, ose thënë ndryshe masat ekstreme tani do të jenë në qendër të grevës tonë. Faza që çeli Gjergj Ndreca me aktin e tij për vetëflijim nuk mund të zhbëhet, por do të vazhdojë nga ne të tjerët”, bën të ditur Tufa. Por sipas tij, të përndjekurit nuk do të merrnin akte terroriste për shkak se kjo nuk ishte në natyrën e tyre, por do të vepronin në mënyrë demokratike dhe do sakrifikoheshin deri në fund për të kërkuar të drejtën e mohuar. Në fakt, pasditen e djeshme grevistët kishin nisur të izolonin në mënyrë të plotë tendën e tyre, nisur nga qëndrimi se tashmë hyrjet-daljet e mbështetësve në çadër do të ishin të kontrolluara, kjo për shkak të gjendjes së rënduar që po kalon pjesa më e madhe e grevistëve. Ai shpreh në mënyrë të qartë zhgënjimin ndaj qeverisë “Berisha” dhe faktit që ende nuk ka një përgjigje serioze për të drejtat e tyre legjitime që kërkohen në grevë. “Berisha nxori sot një zëdhënës për të gënjyer, sepse të dhënat që ai paraqiti realisht nuk përputheshin me atë çfarë ne kemi përfituar”, deklaroi Tufa. Sipas tij, tashmë të përndjekurit duhet të kishin marrë katër këste të plota nga qeveria “Berisha” dhe të kishin të drejtën e strehimit dhe punësimit siç kanë përfituar dhe qytetarët e tjerë shqiptarë. Sipas tij, qeveria tregoi dhe njëherë se nuk kishte ndërmend të negocionte me grevistët dhe tashmë njeriu që ju ngjallte më tepër besim në këtë vend, ishte ironikisht një i huaj si ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu.

Protesta

Grumbullimi i mbështetësve përpara Kuvendit të Shqipërisë është një tjetër praktikë që do të përdoret me forcë nga të përndjekurit politikë që tashmë janë në grevë urie. Nesër përpara ambienteve të Parlamentit, të përndjekurit do të kërkojnë të drejtat e tyre dhe në këtë kuadër ftojnë të gjithë qytetarët ta mbështesin këtë grevë. Nga ana tjetër, Tufa thekson se thirrjet nuk do të ndalojnë as për lirimin e Perikli Shtejfnit. “Perikliu është në burg përsëri për arsye politike. Arrestimi i tij është i paligjshëm për shkak se ai kishte vendosur të digjej së bashku me Gjergj Ndrecën, sipas një premtimi që i kishin bërë njëri-tjetrit”, thekson Tufa, duke theksuar se ata tashmë nuk mund të kthehen më mbrapsht. (LajmeShqip.com)