Lajme Shqip Thursday, 11 October 2012 21:14

TIRANË- Një ish-i dënuar politik ka tentuar të vetëdigjet mbrëmjen e sotme rreth orës 19:36 pak metra larg grevës, e cila po zhvillohet në dy çadra të improvizuara pranë zonës së Komunës së Parisit në Tiranë. 

Ish-i burgosuri politik Gani Aliaj, i cili nuk është pjesmarrës në grevën që prej 20 ditësh një grup ish- të burgosurish kanë ndërmarrë për plotësimin e kërkesave të tyre, ka shkuar pasditen e sotme për të takuar grevistët, por nuk është lejuar nga policia që të afrohet. Në këtë moment mësohet se Aliaj është lyer me benzinë në të gjithë trupin në tentativë për ti dhënë flakë vetes, por menjëherë ka ndërhyrë policia që ka mundur të neutralizojë duke mos e lënë të ndërmarrë aktin ekstrem. 

Ish-i përndjekuri i cili u neutralizua nga forca të shumta policore, ka thërritur se “nëse nuk digjet sot do të hidhet nga një lartësia diten tjetër”.  Blutë e Tiranës kanë shoqëruar ish-të burgosurin në Komisariat, ndërkohë që ai pretendon se nuk ka marrë asnjë lekë për 20 vitet e burgut që ka bërë në kohën e diktaturës në Spaç. Gani Aliaj është pjesëtari i tretë i kësaj shtrese shoqërore që ka tentuar vetëflijimin, edhe pse jo pjesë e grevës që disa ish- të përndjekur kanë ndërmarë prej 20 ditësh.

Pas incidentit ka reaguar edhe koordinatori i grevës së ish-të përndjekurve politikë, Skënder Tufa, i cili në një reagim për mediat ka theksuar se greva e tyre është ekonomike dhe jo politike. Tufa, i ka bërë thirrje edhe një herë kryeministrit Sali Berisha që të ulet e të dialogojë me grevistët për gjetjen e një zgjidhje të kësaj situate, e cila po i shtyn deri në vetëflijim në kërkim të gjetjes së një zgjidhjeje.

Precedentët 
Ish i përndjekuri, Gjergj Ndreca më 8 tetor tentoi të vetëflijohej duke u lyer me benzinë, ndërkohë që grevisti Llazi Koçi, humbi ndjenjat në përpjekje për t’i shuar flakët mikut të tij. Ndërkohë, sot në ditën e 19 të grevës së urisë miku i tij i ngushtë Lirak Bejko ndërmori aktin ekstrem të vetëflijimit me benzinë.

Lirak Bejko
Pas Gjergj Ndrecës, shoku i tij, ish i burgosuri politik, Lirak Bejko, 47 vjeç nga Skrapari ka tentuar t’i japë fund jetës duke i vënë flakën vetes. TV ‘Neës 24’ transmetoi direkt nga vendngjarja pamjet tronditëse më 10 tetor.

Greva
Ish- të përndjekurit politikë nisën mbrëmjen e 22 shtatorit në dy çadra pranë zonës “Komuna e Parisit” një grevë urie, e cila pritet të zgjasë, për shkak se Qeveria nuk mbajti premtimet për dëmshpërblimin e viteve të tyre të burgut. Sipas ish- të përndjekurve politikë, gjendja aktuale e tyre është tepër e rëndë, ndërsa dëmshpërblimi u shty për një afat të pacaktuar. Ata theksojnë se gjithçka ndodhi për shkak të tjetërsimit të ligjeve që Qeveria bëri në kundërshtim me Kushtetutën.(LajmeShqip.com)