Lajme Shqip Thursday, 18 August 2011 18:14

Tiranë – Firma austriake ACR, e cila zotëron një marrëveshje konçesioni për minierën e kromit në Bulqizë, në ditën e 25-të të grevës së minatorëve, njoftoi se është e gatshme të firmosë një marrëveshje për kërkesat e minatorëve, duke pranuar edhe rritjen e pagës me 20%.

Përmes një njoftimi për shtyp, ACR ka bërë të ditur përgatitjen e draft-memorandumit të mirëkuptimit me minatorët, e cila u është dërguar atyre për firmosje.

“ACR pajtohet për të përmbushur kërkesën e punonjësve për të rritur pagat e tyre bruto me 20%, duke filluar nga data e nënshkrimit të këtij Memorandumi”, thuhet në njoftimin e ACR.

Sipas draftit, ky memorandum mirëkuptimi synon t’i japë fund grevës dhe grevës së urisë që vazhdon në nivelin e 14-të të minierës së Bulqizës dhe në objektet e tjera të kësaj miniere.

Me nënshkrimin e këtij memorandumi, ACR angazhohet të zbatojë plotësisht dhe siç duhet përcaktimet dhe kushtet e parashikuara në 5 pika, mes tyre edhe nënshkrim i kontratës së re kolektive mes ACR dhe Sindikatës së re të minatorëve të minierës Bulqizë.

ACR pajtohet për të përmbushur kërkesën e punonjësve për të rritur pagat e tyre bruto me 20%, duke filluar nga data e nënshkrimit të këtij memorandumi. ACR do të bëjë transparent nivelin dhe progresin e investimeve të parashikuara në kontratën e koncesionit sipas marrëveshjes me Qeverinë.