Lajme Shqip Saturday, 20 August 2011 14:30

Shkup – Policia greke ka ndaluar mbrëmjen e të premtes në qytetin Evzoni për disa orë një grup aktivistësh shqiptarë të shoqatës “Josif Bageri” nga Maqedonia, mes tyre edhe ish deputetin e BDI-së Vullnet Ahmeti, por më pas i ka liruar.

Burime të Portalit LajmeShqip.com bëjnë të ditur se grupi i udhëhequr nga kryetari i shoqatës “Josif Bageri”, Branko Manojlovski, ishte pjesë e ekspeditës së nisur nga Vrutoku-rrjedha e lumit Vardar deri te Deti Egje, një mision simbolik kundër hasmërive dhe urrejtjes midis popullit shqiptar dhe atij maqedonas.

Nga shoqata “Josif Bageri” njoftuan se policët grekë kishin kërkuar konfiskimin e materialeve dhe kamerës, me të cilën xhironte grupi, mirëpo kjo nuk ka ndodhur.

“Ky është një veprim i njohur i autoriteteve greke dhe një veprim i pahijshëm, pasi që udhëheqës i grupit ishte kryetari i nderit, Manojlovski, me pasaportë amerikane dhe profesori universitar, dhe ish-deputeti Vullnet Ademi, që posedon pasaportë diplomatike”, kanë thënë nga shoqata “Josif Bageri”.

Ndërkohë, lidhur me situatën e krijuar ka pasur edhe ndërhyrje nga përfaqësuesit shqiptarë në institucionet qeveritare nga Shkupi. Midis tyre, siç bëhet e ditur, edhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti, ka alarmuar zyrën ndërlidhëse greke në Shkup.

Aktivistët e shoqatës “Josif Bageri”, të prirë nga Branko Manojlovski, kishin nisur ekspeditën më 12 gusht, nga Vrutoku – burimi i lumit Vardar deri në Detin Egje, me simbolikën për të shmangur urrejtjen midis popullit shqiptar dhe atij maqedonas dhe për të promovuar vlerat. Nisja nga atje u shoqërua me një atmosferë festive e miqësore, në prezencë të shumë miqve dhe qytetarëve të Gostivarit dhe vendbanimeve të tjera shqiptare.

Fillimi i udhëtimit të tyre u shoqërua edhe me rite fetare. (LajmeShqip.com)