Lajme Shqip Wednesday, 21 March 2012 11:13

Prishtinë-Njohja e Kosovës nga Greqia do të vijë natyrshëm dhe në kuadër të perspektivës europiane. Kështu ka deklaruar ambasadori Dimitris Moschopoulos, Shef i Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, në një intervistë për të përditshmen “Express”.

I pyetur pse Greqia nuk e ka njohur ende Kosovën, ai ka thënë se ekzistojnë disa arsye. “Ajo që është më e rëndësishmja është se ne veprojmë si shtet i rajonit, si fqinjë. Ne e shohim se duhet të mbajmë një lloj balanci mes fqinjëve tanë, dhe në këtë logjikë ne kemi një qasje shumë konstruktive karshi Kosovës”-ka thënë Moschopoulos.

Por sipas tij pavarësisht se Greqia nuk e ka njohur ende Kosovën, ajo mbështet plotësisht perspektivën europiane të Kosovës, dhe zhvillimin e saj ekonomik.

“Ne besojmë se zhvillimi ekonomik do të ishte në të mirë të popullit të saj, dhe në të mirën e paqes dhe stabilitetit në rajon, dhe në këtë logjikë për të gjithë ne. Ne dëshirojmë të shihemi si fqinjë miqësorë. Ky është mesazhi që unë kam, dhe ne ju shohim ju si fqinjë miqësorë, gjithmonë ju shohim si fqinjë miqësor”-tha ambasadori.

Sa i përket pyetjes nëse Kosova përbën precedent, Moschopoulos tha se Greqia pajtohet me partnerët dhe aleatët e saj, se Kosova nuk përbën precedent, ajo është rast unik.

“Kjo është pozita jonë, ne e kemi pranuar këtë, e kemi adoptuar këtë brenda Bashkimit Europian, dhe për këtë arsye iu referohem partnerëve tanë, dhe brenda NATO’s, dhe për këtë arsye përmenda aleatët tanë. Pra ne nuk mendojmë se Kosova paraqet precedent”-vijoi ambasadori.

Megjithatë ai shton se Greqia respekton edhe qëndrimin e vendeve të tjera ndaj Kosovës, por se i rëndësishëm mbetet vendimi final.

“Ajo që ka më së shumti rëndësi është se si veprojmë në fund. Dhe, çdo çështje që është e rëndësishme për Kosovën brenda Bashkimit Europian, ne kemi adoptuar një qasje shumë konstruktive. Pra, çështja e njohjes është diçka që do të vijë natyrshëm”-përfundon Moschopoulos.