Lajme Shqip Monday, 20 August 2012 08:35

Tiranë – Gazetari Marin Mema është shpallur i rrezikshëm për sigurinë kombëtare në Greqi dhe për këtë arsye pengohet që të hyjë në territorin grek.

Ky vendim i është komunikuar gazetarit të Top Channel mesditën e së dielës ndërsa po kryente procedurat për të hyrë në shtetin grek në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Botës. Nga policia greke është informuar se i ndalohet hyrja në shtetin grek sepse cilësohet se përbën rrezik për sigurinë kombëtare në këtë vend.

Vendimi dhe ndalimi i gazetarit të njohur të Top Channel lidhet me disa tema të realizuara prej tij në rubrikën “Shqipëria Tjetër” kushtuar cështjes kombëtare shqiptare, tema që lidhen me trashegimine e cameve ne Greqi ne fshatin Margellic, ne Gumenice dhe ne Filat . Por edhe emisioni kushtuar Papa Kristo Negovanit dhe pasardhësve të tij në fshatin Negovan, brenda territorit grek.

Një veprim të ngjashëm shteti grek ndërmori edhe ndaj gjyqtarëve që dhanë vendimin për penalizimin e shtetasit Naum Disho, drejtues i degës lokale të Omonias në Korçe i akuzuar për dhunimin e varreve në fshatin Boboshticë.

Top Channel do t’i drejtohet zyrtarisht autoriteteve më të larta shqiptare dhe atyre greke për të kërkuar sqarime në lidhje më këtë incident të rëndë që cënon jo vetëm personalitetin dhe figurën e gazetarit, por edhe atë të një shtetasi shqiptar dhe marrëveshjet për lëvizjen e lirë. Top Channel do ta bëjë prezent incidentin edhe në Bruksel pranë Komisionerit për të Drejtat e Njeriut.

Ndërkaq reagoi Aleanca Kuqezi, e cila dënon ashpër dhe me indinjatë të thellë sjelljen e autoriteteve greke. Në deklaratë thuhet se “shtetasi shqiptar Marin Mema nuk u lejua të kalojë kufirin si rrjedhojë objektivitetin dhe profesionalizmit në ushtrimin e profesionit të gazetarit, e në përmbushje të misionit sublim të informimit të publikut”.

Edhe PDIU shprehu indinjatën e saj ndaj këtij veprimi të autoriteteve greke duke thënë se shpallja ‘non grata’ e gazetarit Marin Mema është rrjedhojë e pasqyrimit prej tij të realitetit që propaganda greke refuzon ta pranojë. Kjo parti kërkoi reagimin e menjëhershëm te qeverisë shqiptare nëpërmjet një note proteste.  (T.Ch)