Lajme Shqip Monday, 21 March 2011 08:21

Gjirokastër – Dega e Partisë Socialiste në Gjirokastër është kundër kandidatëve të PBDNJ-it dhe Vangjel Dules për tetë komunat me minoritet grek.

“Strukturat e Partisë Socialiste (PS) në minoritetin grek, parimisht janë pro aleancës me PBDNJ-në, por gjithsesi kundër imponimit të kryetarit Vangjel Dule, që i ka kërkuar Edi Ramës që socialistët të mos kandidojnë për kryetarë komunash në zonat e pastra minoritare”, ka thënë Thoma Garo, kryetar i asamblesë socialiste në Dropullin e Sipërm.

“Në qoftë se ndodh që PS do të lerë zonë në lirë për PBDNJ-ne në Gjirokastër, Sarandë e Delvinë, ne do t’i bëjmë thirrje elektoratit të majtë që të mos marrë pjesë në këto zgjedhje”, theksoi Garo.

Sipas tij, gjatë këtyre dy-tri ditëve të fundit, drejtues të PS në Dropull, Pogon, Aliko, Livadhia, Dhivër, Mesopotam dhe Finiq, kanë zhvilluar takime për të kundërshtuar tendencat për eleminimin e kandidaturave të PS.

Ndërkaq, mësohet se subjektet politike në zonat e minoritet grek në Gjirokastër kanë bërë zgjedhjet e  kandidatëve për kryetar komune dhe i kanë dërguar ato zyrtarisht në strukturat qëndrore për miratim përfundimtar. Strukturat e bazës së PS në Gjirokastër kanë propozuar si kandidat të tyre Panajot Lulën në Dropull të Sipërm, Pirro Boboli në Dropull të Poshtëm dhe Pano Goçin në Pogon.  Ndërsa, PBDNJ kanë propozuar si kandidat Ilia Papailën në Dropullin e Sipërm, kryetarin aktual Dhimitër Maluqi në Dropullin e Poshtëm dhe Thanas Qiron në komunën e Pogonit.

Megjithatë, subjekti që “trazon” dhe “streson” subjektet që deri tani kanë mbizotëruar spektrin politik përfaqësues të minoritetit grek, PS dhe PBDNJ, është padyshim partia e re e grekëve të Shqipërisë, MEGA. Burime të besueshme nga kjo parti bënë të ditur se kanë propozuar për kryetar komunash, kryetarin aktual të komunës Koço Kosta në Dropullin e Sipërm (deri tani përfaqësues i PBDNJ), biznesmenin Lefter Baruta në Dropullin e Poshtëm dhe në Pogon kryetarin aktual të kësaj komune Taqo Mejdi, që deri tani ka qënë përfaqësues i përbashkët i PD dhe PBDNJ.

Gjithashtu, mësohet se MEGA ka zyrtarizuar sot dhe emrin e kandidatit për kryetar të bashkisë së Himarës, biznesmenin Dhimitër Llazarin. “Përfaqësoj ekskluzivisht partinë Mega dhe do të luftoj fuqishëm për të fituar ndaj Bollanos këtë herë dhe për të mos lënë që fitorja të tjetërsohet. Nuk kam mbështetjen politike të PD-së në Himarë, por e them me bindje se shumë anëtarë të PD-së do të më mbështesin mua në garën elektorale”, konfirmon kandidaturën e tij të linjë telefonike Llazari.