Lajme Shqip Sunday, 28 August 2011 13:46

Gramsh – Flakët e zjarrit ende nuk janë shuar në masivin pyjor të “Teqes së Dushkut “, në vendin e quajtur “Kroi i Bardhë ” në rrethin e Gramshit.

Zjarri, i cili ka katër ditë që ka rënë, ka djegur disa hektarë pisha dhe ferra, ndërkohë që burime zyrtare nga  emergjencat civile pranë prefekturës së Elbasanit bëjnë të ditur se është izoluar në maksimum përhapja e  flakëve, por situata mbetet ende problematike.

Për shuarjen e zjarrit  po punojnë forcat e shërbimit pyjor të Gramshit dhe vetë komuniteti i zonës, si dhe forcat e shërbimit zjarrfikës dhe ato të ushtrisë, ndërsa mësohet se flakët e zjarrit janë lokalizuar dhe janë drejt shuarjes.

Mësohet se gjatë paradites të së dielës një vatër e fuqishme zjarri u shfaq në një masiv me shkurre pranë varrezave të qytetit të Elbasanit, flakë që rrezikuan jo vetëm varrezat, por dhe disa banesa. Ndërhyrja në kohë nga ana e shërbimit zjarrfikës shmangu pasojat e mundshme të këtij zjarri.

Vatra të reja zjarri janë raportuar gjithashtu nga nënprefekturat e Librazhdit e Peqinit, por pa  pasoja të rënda.