Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 14:04

Prishtinë – Adem Grabovci, kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së ka thënë se janë mbledhur nënshkrimet e nevojshme për seancën e jashtëzakonshme.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritet të zgjidhet presidenti i vendit do të mbahet në ora 18:00. Këtë e bëri të ditur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pas mbledhjes së Grupit parlamentar të PDK-së, i cili shkurt deklaroi se séanca do të mbahet në ora 18:00.

Grabovci bëri të ditur se janë mbledhur nënshkrimet e nevojshme dhe është proceduar kërkesa në Kuvend për seancë të jashtëzakonshme.

Sipas tij përveç kandidates konsensuale Atifete Jahjaga, do të jetë edhe një tjetër kandidat i AKR-së, por nuk e bëri të ditur emrin e saj. Ndryshe, në takimin e Grupit Parlamentar të PDK-së nuk kanë qenë të pranishëm Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi, por Grabovci këtë mungesë e ka arsyetuar, duke thënë se ata kanë qenë të zënë me angazhime tjera.

Jahjaga ka ardhur si propozim konsensual për presidente të vendit pas negociatave ndërmjet kreut të PDK-së, Hashim Thaçi, atij të LDK-së, Isa Mustafa dhe kreut të dorëhequr të AKR-së, Behgjet Pacolli, me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Kosovë, Kristofer Dell.