Lajme Shqip Friday, 26 July 2013 12:07

Durrës – Një tregtare bizhuterish është bërë pre e grabitjes sot në qytetin e Durrësit.

Sipas të dhënave të policisë së qytetit bregdetar, tregtares i kanë zënë pritë dy persona të maskuar dhe armatosur teksa kthehej në banesën e saj. Mësohet se personat e paidentifikuar i kanë rrëmbyer me dhunë çantën ku mbante bizhuteritë dhe janë larguar në drejtim të paditur.

Në një rrëfim për Neës 24 tregtarja e grabitur, Lavdije Kena tregon se si ka ndodhur ngjarja. 
“Isha me djalin tim dhe një shoqe në makinë. Grabitësit na bllokuan rrugën në zonën e depos së ujit. Ishin dy persona me maska dhe armë që na ndaluan”, tregon ajo.

Sipas tregtares, njëri prej tyre e ka goditur në kokë me tytën e pistoletës për t’i marrë çantën.

Kena sqaron më tej se, bizhuteritë e grabitura kapin një vlerë prej 35 milionë lekësh.

“Më grabiten çantën me vlerë rreth 35 mln lekë. Lajmërova policinë”, thotë ajo, ndërsa shton se “njëri prej tyre ishte pa maskë dhe arrita ta njoh. Ishte rreth 45-vjec”.

“Tregtoj bizhu që nga viti 1998, hera e parë që më grabisin. Nuk kemi dyshime për asnjë person”, shprehet më tej ajo.

Tregtarja e grabitur ushtronte aktivitetin e saj tek Tregu Industrial bashkë me të birin, ndërkohë që grabitja ka ndodhur tek ish vila e Zogut.

Ndërkaq, burime të policisë bëjnë me dije se po punojnë për identifikimin e grabitësve dhe kapjen e tyre.