Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 21:47

Gostivar – Kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), Rufi Osmani ka pritur të enjten ambasadorin e BE-së, Piter Sorensen me të cilin kanë biseduar për zhvillimet e fundit politike dhe zgjedhjet e 5 qershorit. “Në politikën e brendshme, RDK-ja do të angazhohet për status shtetformues të shqiptarëve, decentralizim të mirëfilltë të pushtetit, barazi të plotë të gjuhës shqipe në nivel nacional, si dhe alokim proporcional të mjeteve buxhetore për rajonet e ndryshme të vendit”, ka thënë Osmani.

Lidhur me kontestin e emrit të Maqedonisë, kryetari i RDK-së Rufi Osmani, ka njoftuar euroambasadorin se në agjendën e tij politike prioritet do t’i jepet zgjidhjes së çështjes së këtij kontesti.

“RDK do të angazhohet për zgjidhjen e kontestit të emrit, me qëllim të zhbllokimit të procesit të integrimit të vendit në familjen e madhe evropiane dhe inkuadrimit në strukturat euroatlantike. Ne, në këtë drejtim do të ofrojmë modelin, sipas të cilit u zgjidh kontesti kroato-slloven”, ka thënë Osmani, duke shtuar se zgjidhjes së këtij kontesti patjetër t’i pasojë edhe zgjidhja e problemeve të brendshme politike.

Ndryshe, në këtë takim u bisedua edhe në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit, me ç’rast lideri i RDK-së njoftoi euroambasadorin se kjo parti votën e lirë të qytetarit e konsideron si një nga të drejtat themelore të njeriut dhe bazë për një shoqëri civile dhe demokratike