Lajme Shqip Saturday, 03 March 2012 13:41

Uashington-Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Gordon ka thënë se SHBA-të janë shumë të kënaqura që BE-ja i dha statusin e kandidatit Serbisë, por ka theksuar se nevojitet të bëhet edhe shumë punë, sidomos kur bëhet fjalë për dialogun e Beogradit dhe Prishtinës.

“Besojmë se statusi i kandidatit që e mori Serbia është inkurajim i mëtejshëm për të që të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën nga i cili të dyja vendet do të kenë dobi thelbësore”, ka porositur Gordon.

“Jemi shumë të kënaqur për shkak të vendimit të BE-së që t’i ofrojë statusin e kandidatit Serbisë, që SHBA-të e mbështetën një kohë. Është e qartë se ka edhe shumë punë, veçanërisht në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Është e qartë se ka ende dallime të mëdha rreth veriut të Kosovës dhe ne inkurajojmë palët që të bisedojnë për to”, ka porositur Gordon.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit në një intervistë dhënë TV Al Jazeera-Ballkan, siç është njoftohet në sajtin e Departamentit të Shtetit, ka theksuar se SHBA-të mbështesin fuqishëm integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës dhe integrimin e saj në BE.

“Por, besojmë se ekzistojnë mënyra që të t’u mundësohet banorëve lokalë, serbëve të veriut të Kosovës, që në mënyrë legjitime të zgjedhin përfaqësuesit, të cilët do të jenë kompetentë për çështjet e tyre”, ka theksuar Gordon. Po ashtu Gordon ka theksuar se përparimi i Serbisë dhe Kosovës është hap kyç drejt “kompletimit të Evropës”. (Zëri)