Prishtinë – Në ditën e dytë të vizitës në Bosnjë dhe Hercegovinë, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj është takuar me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Filip Gordon.
Hoxhaj dhe Gordon kanë diskutuar për proceset e veçanta ndërkombëtare rreth Kosovës, dhe ndihmën e gjithanshme që SHBA-ja po jep në drejtim të përmbylljes së suksesshme të tyre, duke filluar që nga procesi i njohjeve, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, por edhe proceset integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike.
Gordon ka siguruar ministrin kosovar Hoxhaj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë ndihmën e pakursyer për popullin e Kosovës.
“Kosova është shtet stabil, i pavarur dhe shumetnik, dhe dialogu teknik duhet t’i zvogëlojë diferencat në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar Gordon.
Hoxhaj ka falënderuar zyrtarin e lartë amerikan për kontributin e jashtëzakonshëm që administrata amerikane po jep për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj.