Lajme Shqip Wednesday, 19 August 2015 15:41

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Vjosa Osmani, e ka bërë sërish të qartë qëndrimin e saj për të mos e votuar Hashim Thaçin për President.

Ajo në një intervistë për Gazetën “Zëri” është shprehur se Thaçi nuk është i denjë që të jetë i pari i vendit, pasi sipas saj këtë e ka dëshmuar gjatë kohës sa ishte kryeministër e ku imazhi i vendit është rrënuar edhe me shumë, dëshpërimi në vend është rritur dhe qytetarët e kanë humbur shpresën.

Sipas Osmanit, qëndrimi i sajë për të mos e votuar Thaçin për President është vullnet edhe i elektoratit të LDK-së.

Po ashtu, Vjosa Osmani ka thënë së marrëveshja e LDK-së për të bashkë qeverisur me PDK-në, është bërë për interesa individuale dhe do të prishet në atë moment ku do të ketë fërkim të këtyre interesave.

“Siç e kam thënë vazhdimisht, nuk konsideroj se z. Thaçi është i denjë për të qenë President i vendit, në mandat 5 vjeçar. Gjatë dy mandateve të tij si Kryeministër, dëshpërimi në vendin tonë vetëm sa është rritur, imazhi vetëm sa është rrënuar edhe më shumë, qytetarët e kanë humbur shpresën se mund të kenë perspektivë brenda Kosovës dhe kemi numra shqetësues të azilkërkuesve, vendi ynë ka filluar të prodhojë raste të ekstremizmit të dhunshëm dhe të dëmtojë edhe disa nga vlerat më fundamentale që na kanë shquar si popull, siç është toleranca ndërfetare”.

Sipas Osmanit, “me këto ‘merita’, të cilat nuk ja përshkruaj vetëm unë, por ja kanë thënë në një moment të karrierës së tyre politike gati secili deputet i LDK-së dhe i partive të opozitës, ai nuk do të duhej ta merrte besimin e këtyre deputetëve që të na përfaqësonte ne, dhe gjithë Kosovën, si President i vendit”.

“Por, mbi të gjitha, dhe për ta thjeshtësuar, zgjedhja e Thaçit President nuk është vullnet i elektoratit të LDK-së. Dhe, unë nuk do të shkelë mbi atë vullnet. Nëse Thaçi vërtetë mendon se ka përkrahje popullore për të udhëhequr me vendin, le ta provojë këtë në zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale, ku fjalën e vet do ta thonë qytetarët. Përndryshe, LDK do të bënte edhe një gabim fatal, nëse pas votimit të Kadri Veselit për të qenë në krye të Parlamentit, do të votonte edhe që Hashim Thaçi të jetë në krye të Presidencës së vendit”, ka shtuar ajo.

Nëse edhe kjo ndodhë, sipas Osmanit, natyrisht që nuk do të ishte befasi që vetë PDK të nxisë zgjedhje të reja menjëherë në pranverë, në mënyrë që të fitojnë edhe qeverinë në një moment kur LDK nuk është duke qëndruar mirë para elektoratit të saj.