Në raportin e saj të fundit rreth gjendjes në Kosovës kjo organizatë ka rekomanduar se nevojitet presioni më i madh ndërkombëtar sidomos nga SHBA dhe BE -së mbi Beogradin që situata në veri të mos përshkallëzohet.
Mosbindja e serbëve të veriut për të zhbllokuar rrugët dhe të pranojë autoritetin Prishtinës, jo vetëm që kërcënon dialogun, por edhe tërë stabilitetin e vendit, konkludon Grupi Ndërkombëtar i Krizave.
Komuniteti ndërkombëtar sipas organizate duhet të insistojë që Beogradi ta pranojë qeverinë në Prishtinë si të barabartë, bile edhe pa njohje formale.
Por, kjo sipas këtij raporti nuk duhet të pritet që të detyrojë bashkëpunimin e serbëve në veri të Kosovës.
Grupi Ndërkombëtar i Krizave konsideron se përpjekja e autoriteteve kosovare për ta kontrolluar gjithë territorin sidomos kufijtë në veri rrezikon të sjellë viktima të reja.
Ky raport vlerëson se tensionet në veri të Kosovës që u rritën pas 25 korrikut të vitit të kaluar do të jenë vështirë të eleminueshme përnjëherësh.
Për këtë arsye u sugjerohet Prishtinës dhe Beogradit gjetja e rrugëve alternative për zbatuar marrëveshjet e arritura në dialog, për të ulur dozën e rrezikut të plasjes së konflikteve të mëtejme.