Lajme Shqip Thursday, 10 September 2015 17:00

Marrëveshja për drejtësinë që do t`i fus në sistemin kosovar të drejtësisë, gjyqtarët serbë që deri tash kanë punuar në gjykatat paralele të Serbisë, po u sjell kokëçarje të mëdha institucioneve të Kosovës.

Burime të RTV Dukagjinit kanë bërë të ditur se pos numrit të madh të atyre që do të duhet të pranohen në kuadër të sistemit kosovar të drejtësisë, asnjëri nga gjyqtarët që deri më tash ka aplikuar nuk ka pranuar që të paraqes flet dëshmi se ka dhënë dorëheqje nga puna në Gjykatën Paralele të Serbisë.

Sipas marrëveshjes, gjyqtarët serbë do të duhej që para se të kandidonin për të punuar në ndonjë gjykatë kosovare, qoftë atë në veri të Mitrovicës të jepnin dorëheqje nga gjykata paralele.

Burime të RTV Dukagjinit kanë shpjeguar se në konkursin e hapur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës kanë aplikuar 83 gjyqtarë por asnjëri nga ta nuk e ka dorëzuar këtë dëshmi.

Sidoqoftë KGJK i ka mbyllur sytë dhe i ka dërguar tek presidentja për dekretim 34 gjyqtarë serbë.

Zëdhënësi i presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu i pyetur nëse këta gjyqtarë do të dekretohen edhe pa e pasur këtë dëshmi ka thënë se presidentja do të veprojë si Kushtetutës dhe ligjeve të vendit si dhe marrëveshjeve të arritura.

Në fakt, burime të tjera të RTV Dukagjinit kanë shpjeguar se një veprim të tillë këta kandidatë nuk e kanë bërë për shkak të direksioneve nga Beogradi.

Serbia pretendon se ka 85 gjyqtarë në Kosovë dhe që të gjithë duhet të inkuadrohen në sistemin kosovar të drejtësisë në mënyrë që të mos mbesin të papunë. Kosova ka pranuar sipas marrëveshjes vetëm 55.

Edhe numri tashmë i pranuar prej 55 është i ekzagjeruar pasi që Kosova ka gjithsejtë në nivel republike vetëm 300 gjyqtarë.