Lajme Shqip Tuesday, 08 September 2015 09:38

Gjykata Speciale me seli në Hagë, e cila do t’i trajtojë rastet e shqiptarëve me pretendimin se kanë kryer krime gjatë periudhës së luftës së UÇK-së, tashmë ka filluar të marrë formim e prerë.

Derisa në Kosovë ende nuk bëhen publike detajet rreth procesit të themelimit të Dhomave të Specializuara dhe departamenteve të saj, Bashkimi Evropian ka filluar përgatitjet se si do të duket Gjykata në aspektin kuadrovik.

Sapo Kosova dhe Holanda të nënshkruajnë marrëveshje ndërshtetërore rreth lokacionit të Dhomave të Veçanta, menjëherë do të vazhdohet me përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe rekrutimin e stafit që do të jenë pjesë e Dhomave të Specializuara sikurse edhe të Prokurorisë së Specializuar.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës dhe as ata të BE-së nuk japin detaje rreth “dukjes” së Gjykatës Speciale, me arsyetimin se pas finalizimit të marrëveshjes në mes shtetit të Kosovës dhe shtetit mikpritës, që pritet të jetë Holanda, do të dihet saktë përbërja dhe emrat e gjyqtarëve të Gjykatës Speciale. /Zeri