Lajme Shqip Wednesday, 05 October 2011 19:57

Prishtinë – Një grup prej njëmbëdhjetë gjykatësish dhe prokurorësh nga Kosova filluan sot një vizitë studimore dyditore në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish- Jugosllavi (ICTY), në Hagë.

Kjo vizitë është pjesë e një nisme për ndërtim të kapaciteteve, e realizuar në kuadër të projektit “Drejtësi për Krime të Luftës”, zbatuar nga OSBE,  Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR), ICTY dhe Institutit Kërkimor Ndërrajonal për Krime dhe Drejtësi i OKB-së.

Sipas Misionit të OSBE në Kosovë, vizita përshin një seminar trajnues, diskutime kolegjiale me gjykatësit dhe prokurorët e ICTY, si dhe prezantime nga stafi i Tribunalit. Kjo është hera e parë që Tribunali është mikpritës i një grupi të gjykatësve dhe prokurorëve nga Kosova.

“Programi ishte zhvilluar në konsultim të ngushtë me praktikantët dhe Institutin Gjyqësor të Kosovës. ICTY e ka përshtatur programin për t’iu përgjigjur nevojave të pjesëmarrësve,” tha Romana Schweiger, koordinatore Rajonale e ODIHR.

Projekti “Drejtësi për Krime të Luftës” është një projekt rajonal prej 4 milion euro, i financuar nga Bashkimi Europian dhe i kryer nga ODIHR në partneritet me ICTY, Institutiti Kërkimor Ndërrajonal për Krime dhe Drejtësi i OKB-së dhe zyrat në terren të OSBE-së.