Lajme Shqip Friday, 11 September 2015 08:07

Gjykata Themelore e Prizrenit të premten e kaluar i ka dërguar ftesat për seancat kryesore të rigjykimit në rastin e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe pesë ish-bashkëpunëtorëve të tij, ndërkohë që në të njëjtën ditë edhe prokurorja e EULEX-it, Judit Eva Tatrai, ka deponuar ankesë në Gjykatën Supreme kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit për të njëjtin rast.

Në ftesën e dërguar te të pandehurit dhe avokatët e tyre nga gjyqtari i EULEX-it, Vladimir Mikula, i cili ka drejtuar procesin në shkallën e parë theksohet se palët duhet të paraqiten në Gjykatë “në datat 7, 8, 9, 12, 13, 14, 15 dhe 16 tetor të këtij viti, për seancat e rigjykimit kundër ‘Muja dhe të tjerët’ të akuzuar për veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit…” Pranimin e ftesës e kanë konfirmuar për gazetën dy prej të pandehurve, shkruan sot Koha Ditore.

Derisa Gjykata Themelore planifikon që të merret me rigjykimin në muajin tetor të këtij viti, Prokurorja e EULEX-it, Judit Eva Tatrai, ka parashtruar ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit në rastin penal kundër Ramadan Mujës, Sadik Paçarizit, Avni Ademajt, Kadri Ukimerit, Abdullah Tejecit dhe Minir Krasniqi, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.