Lajme Shqip Wednesday, 13 November 2013 23:56

Beograd- Pjesëtarët e të ashtuquajturit “Grup i Gjilanit”, të cilët më 26 dhjetor 2008 u arrestuan nga xhandarmëria serbe me urdhër të Prokurorisë serbe për krime të luftës, janë liruar sot pas më se pesë vjetëve nga aktakuza e cila i rëndonte ata për krime  gjoja të kryera në rrethin e Gjilanit, në verën e vitit 1999, ndaj serbëve dhe jo shqiptarëve.

Procesi i stërzgjatur me një mori dëshmitarësh të mbrojtur ka përfunduar sot me lirimin e grupit të fundit të mbetur në burg, meqë një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të këtij grupi të akuzuar, në mungesë faktesh, ishin liruar më herët.

Si njofton Presheva News, Agush Memishi, Ferat Hajdari dhe Faton Hajdari aktualisht janë rrugës për në shtëpi, përderisa avokati i tyre mbrojtës Novica Zdravkoviq i ka thënë kësaj agjencie të lajmeve nga Presheva se të të gjithë të akuzuarit (11 të akuzuar), janë liruar nga aktakuza e mëtejme.

Ndryshe, Gjykata serbe për Krime Lufte kishte dënuar këtë grup me gjithsejtë 116 vjet heqje lirie, duke akuzuar të njëjtit se kishin vrarë 47 civilë serbë e joshqiptarë, ndërsa  37 qytetarë sipas Gjykatës për Krime Lufte udhëhiqeshin si të zhdukur. Prokuroria i akuzonte për krime monstruoze, përderisa asnjë dëshmitar nuk doli të kishte të drejtë.

Pas më se pesë vjetësh, me vendim të Gjykatës serbe për Krime Lufte janë liruar nga aktakuza e më tejme Agush Memishi i dënuar me 12 vite burgim, Samet Hajdari me 15 vjet, Nazif Hasani me 13, Ahmet Hasani me 13, Burim Fazli me 12, Selimon Sadiku me 12, Faton Hajdari me 10, Ferat Hajdari me 8, Kamber Sahiti me 8, Sadik Aliu me 8 dhe  Shefket Musliu me 5 vjet heqje lirie. Ndërkaq, në shtator të 2012 ishin liruar nga aktakuza edhe Fazli Hajdari, Rexhep Aliu, Shaqir Shaqiri, Idriz Aliu, Ramadan Halimi dhe Shemsi Nuhiu, i cili në maj të 2012 ishte ekstraduar nga Zvicra në Beograd.

Lirimi i të akuzuarve ka gëzuar jo vetëm familjarët e të burgosurve por të gjithë shqiptarët e Luginës dhe viseve tjera.