Lajme Shqip Monday, 05 September 2011 18:17

Tiranë – Me përfundimin e pushimeve verore, gjyqtarët e Gjykatës së Tiranës, kanë rinisur sot shqyrtimin e çështjes “Gerdeci”, që numëron 29 të pandehur, në pjesën më të madhe, ish-funksionarë të lartë të ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë.

Seanca e zhvilluar sot vijoi me parashtrimin e disa kërkesave nga ana e mbrojtësve ligjor të të pandehurve. Kështu, avokati Gëzim Veleshnja, që përfaqëson interesat e administratorit te firmës, “Alba Demil”, Mihal Deliorgji, kërkoi ribërjen e ekspertimit për shkakun e shpërthimit në ish-fabrikën e Gërdecit.  Gjithashtu, ai kërkoi që të merren në pyetje dëshmitaret e çështjes, midis tyre disa shtetas të huaj. Ndërsa Gjykata kërkoi kohë që të njihet me kërkesat e palës mbrojtëse.

Të pandehurit e çështjes “Gërdeci” akuzohen si përgjegjës për shpërthimin e ndodhur në 15 mars të vitit 2008, në fshatin Gërdec, Tiranë, kur si pasojë e një shp\ërthimi në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake, humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë u plagosën.