Lajme Shqip Friday, 05 October 2012 14:38

Prishtinë – Astrit Haraqija, Valton Beqiri, Armond Morina dhe Nehat Fejza duhet të paraqiten të mërkurën e ardhshme në “premierën” e parë gjyqësore për të dhënë përgjegjësi për korrupsion.

Gjykata e Qarkut e Prishtinës ka caktuar 10 tetorin për nisjen e seancës për konfirmim të aktakuzës së ngritur nga prokurorja e Qarkut, Drita Hajdari kundër dy ish-ministrave të Kulturës dhe dy producentëve.

Caktimin e seancës e ka konfirmuar për “Kohën Ditore” vetë prokurorja. Ajo pret që të konfirmohet aktakuza dhe të ketë proces gjyqësor. “Seanca është caktuar më 10 tetor”, ka konfirmuar ajo, për të shtuar se gjyqtari do të jetë vendës.

Marrjen e ftesës e ka konfirmuar edhe ish-ministri i Kulturës nga radhët e LDK-së, Valton Beqiri. Ai ka thënë se është i pafajshëm duke shtuar se drejtësia do të vendosë për këtë.

Producenti Armond Morina ka thënë se nuk ka marrë ftesë, e dy të akuzuarit e tjerë Astrit Haraqija dhe Nehat Fejza nuk e kanë hapur telefonin. (LajmeShqip.com)