Lajme Shqip Thursday, 10 September 2015 17:10

Tashmë edhe në Organin më të lartë gjyqësor në vend e kanë humbur garën Zelqif Berisha, Behgjet Pacolli dhe Remzi Ejupi, në tentim për ta blerë Hotelin Grand, raporton lajmi.net. 

Kjo ngase Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të papranueshme kërkesën e parashtruesit NTP Union Comerce (Zelqif Berishës) dhe pretendimet e tij se ka pasur shkelje me vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme, ndërsa ka vlerësuar si të papranueshme poashtu edhe kërkesën e parashtruesit Mabco Constructions (Behxhet Pacolli) dhe Eurokoha-Reisen (Remzi Ejupi), të cilët kishin kërkuar për të qenë ndërhyrës në anën e paditësit.

Tashmë, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka pranuar nga  Gjykata  Kushtetuese e Republikës së Kosovës Aktvendimin nr. KL 168-14 ku parashtrues i kërkesës ka qenë NTP Union Comerce dhe Aktvendimin nr. KL167-14 me parashtruesit e kërkesës Mab Constructiones/EuroKoha Reisen për të vlerësuar kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme në lidhje me Hotelin Grand.

Parashtruesit e kërkesës kanë kontestuar Aktgjykimin e datës 26 qershor të 2014 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme nr. AC-I-13-0045-A0001 për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, me çka ishte vlerësuar i drejtë vendimi i Kolegjit të Specializuar të DHPGJS dhe vendimi i Bordit të Drejtorëve të AKP-së për tërheqje të aksioneve në ndërmarrjen Hoteli Grand.

Ndryshe, për fatin e këtij Hoteli do të vendoset kur të krijohet Bordi i ri i AKP-së./ lajmi.net