Tiranë – Gjykata Kushtetuse mori dje në shqyrtim në seancën plenare me dyer të hapura kërkesën e deputetëve të Partisë Socialiste për të mos prishur Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës “Pjetër Arbnori”.
Deputetët e të majtës kanë kërkuar “Shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të neneve 3, 5, 6, 8 të ligjit nr.10449, datë 14.07.2011 “Për rregullat dhe procedurat e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë;” dhe “Pezullimin e zbatimit të këtij ligji deri në përfundim të shqyrtimit të kërkesës nga Gjykata Kushtetuese”.
Për pezullimin e veprimit të ligjit që parashikon prishjen e Piramidës, deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, Kushtetuesja vendosi rrëzimin e kësaj kërkese, me argumentin se nuk ishte e bazuar në ligj.
“Lidhur me pikën 2 të objektit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit, pasi nuk plotësohen kushtet e parashikuara nga neni 45 i ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në vendimin që është publikuar edhe në faqen e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërsa lidhur me kërkesën e parë të socialistëve për shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën “Për rregullat dhe procedurat e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë”, Gjykata Kushtetuese është tërhequr për t’u shprehur më vonë me një vendim përfundimtar të arsyetuar.
Partia Socialiste kërkon shpalljen e ligjit si antikushtetues, pasi sipas saj shkelen kompetencat e pushtetit vendor në fushën e planifikimit urban, ndërkohë që ligji ka mangësi pasi nuk parashikon faturën financiare të projektit.
Ndërsa përfaqësuesit e parlamentit dhe Këshillit të Ministrave e konsiderojnë kërkesën e të majtëve të paligjshme me argumentin se bojkotuan seancën e miratimit te ligjit për ndërtimin e parlamentit te ri.