Lajme Shqip Tuesday, 05 March 2013 13:35

TIRANE– Gjykata Kushtetuese i ka hapur dritën jeshile mbajtjes së një referendumi kundër importit të mbetjeve, pas kërkesës së paraqitur nga një grup ambientalistësh dhe aktivistësh të shoqërisë civile. Vendimi është marrë, sipas burimeve nga gjykata, javën e shkuar me një shumicë dërrmuese të anëtarëve të saj (7 në favor dhe vetëm 1 kundër). Teksti së bashku me argumentat pritet të bëhet publik javën e ardhshme. 

Për vendimin foli mbrëmë edhe kryeministri Sali Berisha, i cili tha se vlerëson qëndrimin e gjykatës si një vendim historik. Pavarësisht pasojave të mundshme, tha ai “Gjykata sanksionoi atë që quhet demokraci direkte, një shtyllë e rëndësishme për një system demokratik”.

Debati për importin e plehrave ka nisur që në vitin 2011 kur Parlamenti miratoi një ligj të ri për trajtimin e mbetjeve urbane në të cilin ishin përfshirë edhe dy nene që lejonin importimin e tyre për qëllime riciklimi. Ambientalistët i kundërshtuan me forcë këto dy nene duke argumentuar se Shqipëria nuk ka mundësitë për kontrollet e nevojshme dhe se vendi sipas tyre mund të rrezikojë të kthehet në një destinacion për mbetjet e rrezikshme. Por sipas qeverisë, ligji është hartuar në përputhje me standartet europiane dhe janë vetëm 25 lloje mbetjesh që lejohet të hyjnë për qëllime riciklimi.

Në fillim të vitit të shkuar të grupuar në Aleancën kundër importit të Plehrave, aktivistët e të drejtave të njeriut dhe ambientalistët mblodhën mbi 60 mijë firma, duke dorëzuar kërkesën për referendum. Tani i takon presidentit të vendit që brenda 45 ditësh të shpallë datën. Referendumi nuk do të mund të zhvillohet përpara dhjetorit të ardhshëm, pasi 6 muaj para skadimit të afatit të Parlamentit dhe tre muaj pas mbledhjes së Parlamentit të ri nuk mund të mbahen referendume.(LajmeShqip.com)