Lajme Shqip Wednesday, 09 September 2015 14:56

Vetëm tri ditë pasi Bernard Përlazri ishte liruar nga paraburgimi, i cili kishte aktakuzë për “Zhvatje” dhe “Fajde”, ai ka kryer një vrasje të rëndë në Prizren.

Ai ka vrarë Hekuran Morinën, që e kishte denoncuar për krimin, si dhe ka plagosur tre persona të tjerë mes të cilëve vëllain e Hekuranit, një shoqërues të vëllezërve Morina, si edhe një kalimtar rasti, shkruan Zëri.

Punëtoria “Sefa”, pronë e vëllezërve Morina, që gjendet jo larg Stacionit të Autobusëve në Prizren, të martën ka qenë e mbyllur.

Objekti disakatësh i “mbështjellë” komplet me xhama, ku vëllezërit Morina tregtonin me parket dhe laminat, kishte mbetur ashtu siç e kishin lënë një ditë më parë vëllezërit, njëri tashmë i vrarë e tjetri i plagosur rëndë.

Ishte pikërisht pasuria, që vëllezërve iu sillte biznesi i tyre, ajo që u bë mollë sherri mes një grupi të dyshuar në Prizren dhe vëllezërve, Hekuran e Fadil Morina, që në Prizren njiheshin si punëtorë të vyeshëm. Këtë përshtypje për ta e kishin edhe zyrtarë të Policisë, por edhe shumë qytetarë që të martën flisnin kudo për fatin e tyre.