Lajme Shqip Thursday, 17 November 2011 10:55

Tiranë – Sokol Ngjeçi, një nga të pandehurit në proçesin për çështjen ‘Gërdeci’, nëpërmjet avokatit të tij, kërkoi dje pafajësi nga trupi gjykues.

Në seancën e zhvilluar dje në Gjykatën e Tiranës, Nik Progni, avokati i ish- punonjësit të ministrisë së Mbrojtjes, Sokol Ngjeçi, lexoi konkluzionet e mbrojtjes, pas pretencës së prokurorisë, që kërkoi dënimin e klientit të tij me 23 vjet burg. Duke folur në seancë, avokati Progni kërkoi pafajësi për klientin e tij.

Seancat e ardhëshme do të vijojnë me dëgjimin e avokatëve mbrojtës të të pandehurve në këtë proçes.

Në pretencën e saj për 29 të pandehurit e çështjes Gërdeci prokuroria ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për 3 prej tyre, ndërkohë që për të pandehurit e tjerë ka kërkuar kryesisht dënime që varjojnë nga 2 deri në 8 vjet burgim. Pasi të dëgjojë palën mbrojtëse, Gjykata e Tiranës do të japë verdiktin për çështjen.

Të pandehurit, në pjesën më të madhe ish- funksionarë të lartë të ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë, akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur në 15 mars të vitit 2008 në fshatin Gërdec të Tiranës, kur si pasojë e një shpërthimi në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake, humbën jetën 26 persona, ndërsa u plagosën shumë të tjerë.