Lajme Shqip Monday, 11 July 2011 18:37

Tiranë – Gjykata e Lartë vendosi sot të marrë në shqyrtim gjyqësor çështjen penale në ngarkim të ish-zv/kryeministrit Ilir Meta.

Ky vendim vjen pak ditë pasi, vetë Meta, nëpërmjet një memo-je, dorëzuar në këtë Gjykatë,  deklaronte tërheqjen nga disa kërkesa paraprake të tij, duke kërkuar shqyrtimin e çështjes kundër tij, të ngritur nga Prokuroria e Përgjithshme.

Në seancën e zhvilluar sot, Gjykata e Lartë vendosi të rrëzojë kërkesat paraprake të paraqitura një seancë më parë nga përfaqesuesit ligjorë të Metës për shpalljen e pavlefshme të hetimeve të prokurorise dhe mospërdorimin në proces të video-përgjimit ndaj Metës.

Në atë seancë, Petrit Serjani, avokati i Ilir Metës, kërkoi që të shpallen të pavlefshme hetimet e prokurorisë,  me pretendimin se janë të kundraligjshme. Avokati Serjani listoi një sërë shkeljesh që, sipas tij, ishin kryer nga prokuroria, ndër të cilat, zhvillimin e hetimeve ndaj Metës në kohën kur ai ishte me imunitet si deputet në  Kuvendin e Shqipërisë. “Hetimet ndaj Metës janë realizuar pa u marrë më parë autorizimi i Kuvendit”, tha avokati, duke kërkuar pushimin e çështjes. Gjithashtu, avokati Serjani kërkoi papërdorshmërinë e videos Meta -Prifti, me argumentimin se është siguruar në rrugë të kundraligjshme.

Ndërkohë,  Prokurori i çështjes, Bujar Sheshi, kërkoi zhvillimin e procesit gjyqësor ndaj Metës, duke i kërkuar Gjykatës së Lartë të rrëzojë si të pabaza kërkesat e avokatëve të Metës për pavlefshmëri të hetimeve, pasi, siç deklaroi ai, hetimet ndaj Metës janë të vlefshme.

Ish-zv/kryeministri Ilir Meta është vënë nën akuzën për korrupsion nga Prokuroria e Përgjithshme, pas publikimit në media pak muaj më parë të një video të regjistruar në mënyrë të fshehtë kundër tij, ku ai shfaqej me ish- ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, në një bisede për disa tendera të ministrisë së Ekonomisë. Vetë Meta e ka cilësuar videon, e realizuar nga ish-ministri Prifti, si një manipulim dhe shantazh ndaj tij.