Lajme Shqip Monday, 17 December 2012 15:39

Prishtinë – Ish-kryetari i komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, i dënuar me 3 vjet burgim për vepren penale të detyrimit, i cili nuk është dorëzuar vetë për vuajtjen e dënimit, gjatë së dielës i është drejtuar opinionit me një sqarim.

Përmes një letre, Zharku ka treguar arsyet se përse nuk e zbaton vendimin, sipas tij arbitrar e politik, të gjykatësve të Eulex-it.

“Kam marrë vendim për mos zbatiminin e vendimit të gjykatës, pasi javëve e ditëve të fundit kemi siguruar prova të reja, të cilat kemi provuar t’i paraqesim para gjyqësorit vendor si dhe atij të Eulex-it, por ka qenë e pamundur që të bëjmë këtë, sepse ky vendim është politik dhe me porosi”, thuhet në letrën e Zharkut.

Më tej, ish-kreu i Kaçanikut shkruan se “nëse Eulex-i dhe drejtësia në Kosovë dëshirojnë të ballafaqohen me drejtësinë, apo që ne të zbatojmë vendimet e tyre, atëherë le ta kthejnë lëndën në rigjykim”.

Po ashtu, Zharku shkruan se zotëron fakte dhe, nëse Eulex dhe drejtësia vendore nuk marrin masa, atëherë ai shkruan se është i detyruar të publikojë fakte, në lidhje me rastin e tij por edhe me të tjera, të cilat, sipas tij, mund të ngrenë në masë të lartë revoltën e qytetarëve, duke prodhuar edhe pasoja të pariparueshme, me shumë mundësi.

Në fund të këtij sqarimi, Zharku ka bashkangjitur edhe fjalën mbrojtëse, të cilën do të kishte patur dëshirë ta jepte gjatë proçesit gjyqësor.

Ditë më parë, Gjykata Komunale e Kaçanikut i ka dorëzuar Policisë së Kosovës urdhërin për arrestimin e ish-kryetarit të komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, dhe dërgimin e tij në burg, por deri më tani vendndodhja e tij nuk dihet.(LajmeShqip.com)