Lajme Shqip Saturday, 10 November 2012 12:13

Prishtinë – Gjykata e Hagës ka njoftuar se më 29 nëntor do të publikohet vendimi për Ramush Haradinaj, Lah Ibrahimajn dhe Idriz Balajn.

Ish-kryeministri Haradinaj ishte shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008. Në Kosovë presin përsëritjen e vendimit të parë – pafajësinë e Haradinajt.

Pas njëzet ditësh, Ramush Haradinaj do të marrë vendimin përfundimtar të Gjykatës së Hagës në lidhje me rigjykimin e zhvilluar prej kësaj gjykate.
Më 29 nëntor, gjyqtarët e Hagës kanë njoftuar se do të publikojnë vendimin për rastin e Ramush Haradinajt, Idriz Balajt e Lah Ibrahimajt.

Kjo është bërë e ditur të premten, në një vendim që është publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës së Hagës.
Aktualisht, Haradinaj është duke qëndruar në Kosovë deri pak ditë para se të shpallet vendimi përfundimtar.

Haradinaj më 3 prill 2008, pas një procesi 3-vjeçar ishte shpallur i pafajshëm për të gjitha aktakuzat nga Gjykata Penale e Hagës dhe një ditë më pas, më 4 prill 2008, kthehet i lirë në Republikën e Kosovës, transmeton Express.

Më 21 korrik 2010, Tribunali i Hagës për të parën herë pas 17 vjet të themelimit, mori vendimin e parë kur vendosi për rigjykim të pjesshëm të Haradinajt, edhe pse ky i fundit ishte shpallur me unanimitet i pafajshëm.

Ramush Haradinaj përballet me akuza për krime lufte prej marsit të vitit 2005, ndërsa partinë e tij vazhdojnë ta udhëheqin nënkryetarët, Blerim Shala, Ardian Gjini e Ahmet Isufi. Afër tyre qëndron vëllai i Ramushit, Daut Haradinaj.

Zyrtarët e AAK-së dhe qytetarët e Kosovës në vazhdimësi kanë thënë se Haradinaj është i pafajshëm dhe besojnë se edhe vendimi që do të merret në fund të këtij muaji do të jetë në favor të ish-Kryeministrit.(LajmeShqip.com)