Lajme Shqip Wednesday, 02 May 2012 14:29

Hagë – Tribunali i Hagës sot do të mbajë konferencë statusore në rastin e gjykimit të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorët e tij, Idriz Balaj dhe Lah Brahimaj.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Tribunalit, Nerma Jelaçiç. Ndaj Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij po zhvillohet rigjykim për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës në Kosovë në vitin 1998.

Ditë më parë, Prokuroria e Tribunalit të Hagës njoftoi se më 20 prill ka mbyllur çështjen ndaj ish komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, sa i përket thirrjes së dëshmitarëve.

Me këtë vendim Tribunali i Hagës ka ardhur në përfundim të procesit gjyqësor ndaj ish kryeministrit të Kosovës. Prokuroria e Tribunalit po ashtu njofton se sot në sallën e gjyqit do të jepen detaje të tjera rreth këtij rasti. (LajmeShqip.com)