Lajme Shqip Tuesday, 18 August 2015 14:41

Ish- punëtori i ProCredit Bank, Abdullah Thaçi, është gjobitur me 5 mijë euro nga Gjykata Themelore në Prizren në fund të një procesi gjyqësor gati trevjeçar

Thaçi, në fund të procesit, e ka pranuar fajësinë në veprën penale të zbulimit të fshehtësisë zyrtare.

Në seancën e fundit, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Rexhep Hasani, para trupit gjykues kërkoi nga gjykata që meqë i akuzuari vullnetarisht ka pranuar fajësinë, t’i shqiptojë një dënim më të butë.

Edhe vet i akuzuari u pajtua me fjalën e mbrojtësit të tij, duke cekur edhe faktin se është i papunë dhe se është penduar thellë për veprimet e tija.

Në bazë të pranimit të fajësisë, Gjykata Themelore e Prizrenit morri aktgjykim me të cilin e dënoi Abdullah Thaqin me 6 muaj burgim efektiv.

Mirëpo me pajtimin e palëve, dënimi i shqiptuar me burg në kohëzgjatje prej 6 muajve, u zëvendësua në dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë eurove, të cilin Thaçi është i obliguar ta paguajë në pesë këste mujore.

E dëmtuara ProCredit Bank, nëpërmjet përfaqësuesit të autorizuar, avokat Florin Vërtopi, paralajmëroi se do të parashtrojnë edhe kërkesë pasuroro- juridike.

Abdullah Thaçi akuzohej se më 31 korrik të vitit 2012, derisa ishte në orar të punës në cilësi të personit zyrtar dhe pa pasur autorizim u ishte qasur llogarive bankare të klientëve të kësaj banke Nexhat Çoçajt – drejtor i Arsimit në Prizren dhe Bekim Thaçit – mësimdhënës.

Sipas aktakuzës, ai ka thyer procedurat e aplikueshme bankare, pikërisht marrëveshjen mbi konfidencialitetin dhe moszbulimin e informacioneve bankare.

Abdullah Thaçi, sipas aktakuzës, gjendjen e llogarive të dy klientëve i kishte futur në një zarf dhe ia kishte dorëzuar Lëvizjes “Vetëvendosje”, e cila këto llogari bankare i kishte përdorur për të ushtruar kallëzim penal.

Tani për këtë rast, drejtori i DKA-së në Prizren Nexhat Çoçaj akuzohet për “keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”. /Kallxo.com/