Lajme Shqip Wednesday, 03 October 2012 09:45

Prishtinë – Ndonëse ka refuzuar të intervistohet nga prokurori i EULEX-it, me arsyetimin se ka kaluar afati ligjor i fazës së hetimeve, ish-ministri i Transportit, Fatmir Limaj, tash e tutje është i obliguar që të paraqitet në momentin që merr ftesën nga prokuroria.

Obligimi i Limajt ndaj prokurorisë është bërë me dije në një vendim që Gjykata e Qarkut në Prishtinë e ka marrë më 19 shtator të këtij viti.

“Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka konfirmuar në bazë të ligjit se z. Fatmir Limaj ishte i detyruar të paraqitet para prokurorit të EULEX-it të Prokurorisë Speciale, i cili është në krye të hetimeve kundër tij. Neni 230 i Kodit të Procedurës Penale të Kosovës thotë se i dyshuari është i detyruar të paraqitet para prokurorit publik pas pranimit të thirrjes nga prokuroria. Sipas këtij neni, i dyshuari mund të paraqesë ankesë te gjyqtari i procedurës paraprake për të vendosur mbi ligjshmërinë e paraqitjes së tij para prokurorit publik”, ka thënë zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.

Fatmir Limaj ka refuzuar që të paraqitet para prokurorit me datën 11 shtator të këtij viti, me arsyetimin se më 23 prill janë mbushur dy vjet që kanë nisur hetimet, me çka edhe sipas tij dhe mbrojtjes, nuk ka më afat ligjor për mbledhjen e çfarëdo prove.

“Mendimi i gjykatës është se Prokuroria, ndryshe nga pretendimet e mbrojtjes, ishte e autorizuar që më 11 shtator 2012 të thërrasë z. Limaj për intervistim. Tani i dyshuari është i detyruar të paraqitet dhe nuk mund ta apelojë ligjshmërinë e thirrjes tek gjyqtari i procedurës paraprake. Limaj, ndër të tjera, është duke u hetuar nga prokurori i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), për veprën penale të krimit të organizuar dhe pastrimit të parave’, ka thënë zëdhënësi Krasniqi.

Ndonëse nuk e ka marrë ende këtë vendim të ri, mbrojtësi i Fatmir Limajt, avokati Tahir Rrecaj qëndron prapa asaj që e ka thënë më herët se nuk ka bazë ligjore që të mblidhen provat. “Nuk e kam marrë atë vendim, por konsideroj se hetimi ka përfunduar më 23 prill dhe prokurori nuk mund ta marrë në pyetje e të mbledhë asnjë provë shtesë pas përfundimit të këtij afati”, ka pohuar Rrecaj. (LajmeShqip.com)