Lajme Shqip Friday, 11 November 2011 14:30

Tiranë – Gjykata e Tiranës vendosi sot të lërë në qeli shtetasit Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani, të arrestuar dy ditë më parë në Tiranë.

Në seancën e zhvilluar sot, Gjykata e Tiranës, me kërkesë të prokurorisë, caktoi masën e sigurisë së arrestit me burg ndaj tyre. Me këtë mase sigurie, Emiljano Shullazi do të hetohet nga prokuroria për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”, ndërsa miku i tij, Gilmando Dani, për “moskallzim krimi”.

Emiljano Shullazi, 33 vjeç dhe Gilmando Dani, 32 vjeç,  me precedentë penalë, u arrestuan dy ditë më parë nga efektivat e Komisariati nr.2 të policisë në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, në Tiranë. Ata u ndaluan ndërsa ishin duke qarkulluar me një automjet tip “Benz”, me targa TR. 2703 L.

Gjatë kontrollit policor, atyre iu gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale një pistoletë tip “Glock”, me një krëhër me 16 copë fishekë, maska të zeza, si dhe disa telefona celularë.

Pas arrestimit të tyre, policia e Tiranës deklaroi se vijon puna hetimore për zbardhjen e aktivitetit të tyre me  tendencë kriminale.