Lajme Shqip Thursday, 26 April 2012 17:43

Tiranë – Komisioni i Ligjeve miratoi të enjten në tërësi dhe me konsensus, pr/ligjin “Për Gjykatën Administrative”, ku u morën parasysh amendimet e propozuara nga opozita, ndërsa drafti do të kalojë për votim në Kuvend në seancën plenare të javës së ardhshme. Pas miratimit të tij, relatori i pr/ligjit, deputeti Armando Subashi tha për mediat se “komisioni ka bërë gjënë më të mirë të mundshme në funksion të dhënies së drejtësisë administrative”.

“Ligji kaloi dhe në tërësi sot pas miratimit të nenit katër dhe pesë ku flitet për organizimin e gjykatave dhe kriteret e gjyqtarëve. “, sqaroi relatori.  Ai tha se ligji kënaq dhe kërkesat e biznesit e grupeve të interesit, duke filluar nga shoqatat e gjyqtarëve dhe të avokatëve. “Në draftin e miratuar kemi parashikuar që përveç 6 gjykatave, për të qënë sa më afër publikut, kemi menduar që të mos jenë palët ato që do të shkojnë tek gjykata, sidomos kur ka largësi, por të jetë gjykata ajo që do të afrohet tek palët dhe publiku, për të dhënë drejtësinë administrative”, tha Subashi.

Pr/ligji, miratimi i të cilit kërkon 3/5 e votave të deputetëve, pritet të kalojë për votim në seancën plenare të javës së ardhshme, ndërsa me miratimin e tij  do kërkohet edhe ngritja e strukturave të gjykatës administrative. Ngritja e Gjykatave administrative pritet të çlirojë biznesin dhe qytetarët nga procedurat e tejzgjatura për zgjidhjen e problematikave në marrëdhënie me autoritetet shtetërore. (LajmeShqip.com)