Lajme Shqip Monday, 12 March 2012 16:45

Projektligji për Gjykatën Administrative arriti të marrë miratimin e parë konsensual në Komisionin parlamentar të Ligjeve pas dështimeve të mëparshme në miratimin e tij në seancë plenare.

Ky votim në parim i projektligjit u cilësua nga kampet politike më shumë si një sinjal për vullnetin e bashkëpunimit, për faktin se pas këtij votimi, projektligji do t’i nështrohet një procesi të gjerë rishqyrtimi.

Duke mos bërë publike amendamentet, relatori socialist i projektligjit, Armando Subashi kërkoi nga ministria e Drejtësisë që t’i vihen në dispozicion të gjitha studimet, sugjerimet e ndërkombëtarëve dhe plani i ekzekutivit për ngritjen e strukturës gjyqësore që do të trajtojë marrëdhëniet mes biznesit dhe shtetit.

Përtej dyshimeve rreth mundësisë së zvarritjes që mund të sjellë procesi i rishqyrtimit të projektligjit, mazhoranca tha se është e gatshme që të bëhet pjesë e procesit për riformatimin e projektit të propozuar pothuajse tre vite më parë.

Përveç votimit në parim, në komisionin e Ligjeve u ra dakort që seancat dëgjimore për projektligjin të nisin të hënën e ardhshme.

Përsa i përket amendamenteve, relatori socialist deklaroi se 24 orë pasi t’i vihen në dispozicion informacionet nga ministria e Drejtësisë, do t’i publikojë dhe t’i shtrojë ato për diskutim. Nga ana tjetër, të dy palët janë angazhuar edhe për të pranuar amendamente të tjera që mund të vijnë nga grupet e interesit.