Lajme Shqip Thursday, 17 September 2015 10:19

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i ka shkruar letër redaksisë së gazetës autoritative britanike “The Independent” për shkak të një teksti të publikuar në këtë gazetë ku thuhet se në Kosovë mbretëron harmoni.

Reagimi ka të bëjë me udhëpërshkrimin e Peter Duncan, me titull “Kosovo: Harmony prevails in this corner of the Balkans“ (Kosova: Harmonia mbretëron në këtë cep të Ballkanit), të publikuar të hënën te “The Independent”.

Gjuriq ka shkruar se udhëpërshkrimi i autorit Peter Duncan “bie ndesh aq shumë me realitetin”, kështu që ishte i detyruar të “tërhiqte vërejtjen”.

Sipas tij, është hipokrizi të thuhet se në Kosovë ka harmoni ndërmjet komuniteteve, derisa 200 mijë serbë të dëbuar nga Kosova nuk mund të kthehen ende në shtëpitë e tyre.

Megjithatë, ai ka shkruar se nuk do të hyjë “në debat politik mbi statusin juridik ndërkombëtar të Kosovës e Metohisë, krahinës jugore të Republikës së Serbisë”.

“Jemi të vetëdijshëm për faktin se nuk mund të pajtohemi lidhur me këtë çështje, siç nuk pajtohemi për të njëjtën çështjes as me qeverinë e Londrës”, citohet të ketë shkruar Gjuriq nga agjencia serbe e lajmeve, Tanjug, transmeton Illyriapress.com.

Peter Duncan, gazetar i britanikes “The Independent”, në shkrimin “Kosova: Harmonia mbretëron në këtë cep të Ballkanit”, ndër të tjera shkruan se si traumat e luftës së fundit i motivojnë qytetarët e Kosovës të punojnë shumë për të ardhmen e tyre.