Lajme Shqip Friday, 21 August 2015 07:58

Drejtori i Zyrës së Kosovës në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq, ka deklaruar sot se përfaqësuesit e Beogradit në bisedime me Prishtinën në javën e ardhshme shkojnë në Bruksel me qëllim që populli serb në Kosovë të krijojë Asociacionin e Komunave Serbe (AKS).

Gjuriq, pas takimit me përfaqësuesit e komunave serbe në Kosovë, raporton Tanjug, ka thënë se javën e ardhshme delegacioni serb do të përpiqet të arsyetojë besimin e të gjithë qytetarëve të Serbisë.

“Besoj se absolutisht do të bëjmë çdo gjë që të ketë marrëveshje. Do të vazhdojmë të sillemi në mënyrë konstruktive me qëllim që AKS të formohet dhe është vështirë që ndokush raportin tonë ndaj AKS-së ta vërë në pikëpyetje”, ka thënë Gjuriq duke saktësuar se është harmonizuar pjesa më e madhe e gjërave lidhur me AKS-në.

I pyetur nëse përfaqësuesit e Beogradit presin kushte të reja në takimin e Brukselit, Gjuriq ka thënë se për formimin e AKS-së nuk mund të ndikojë asnjë marrëveshje tjetër dhe se çmimi për formimin e AKS-së është paguar, ndërsa ka shtuar se AKS nuk është kundër askujt, por është, sipas tij, instrument i stabilitetit dhe i përparimit të bashkësive në Kosovë.

Gjuriq ka thënë AKS nuk dëshiron të rregullojë jetën e shqiptarëve dhe se nuk e ka synim ndarjen e Kosovës.

“Pse do të ndanim diçka që është jona në tërësi”, ka thënë ai.

Në vazhdim Gjuriq treguar se Beogradi është afër që AKS të ketë financim të drejtpërdrejtë nga Serbia, që, sipas tij kjo do të mundësonte që AKS të funksionojë sipas sistemit të Serbisë.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që u takuan me Gjuriqin, Branimir Stojanoviq , zëvendëskryeministër i Kosovës dhe Lubo Mariq, ministër i Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, folën, siç thanë ata, për nevojën dhe domosdonë e krijimit të AKS-së.

Në Bruksel, më 25 gusht, është paralajmëruar të mbahet takimi i kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe i kryeministrit të Serbisë Aleksandar Vuçiq bashkë me ndihmës.

Në takim, nëse ka marrëveshje, pritet formimi i Asociacionit të Komunave serbe me kompetenca të diskutueshme nga Prishtina e nga Beogradi. Marrëveshjen, pritet, ta nënshkruajnë dy kryeministrat.