Lajme Shqip Saturday, 03 December 2011 17:45

Tropojë – Gjuetia pa kriter në masivet pyjore në Parkun Kombëtar të Valbonës ka rritur shqetësimin e banorëve për rrezikun e dëmtimit të faunës në këtë zonë, ku krahas interesit që ka kjo zonë për vizitorët, ajo është edhe një zonë e preferuar nga gjuetarët që jo pak herë përdorin edhe mjete shfarosëse në gjuetinë e kafshëve të egra.

Ndërsa kryetari i komunës së Margegajt, Rexhep Biberaj thotë se kontrolli ndaj këtij fenomeni vështirësohet edhe për shkak të errësirës së shfrytëzuar shpesh herë nga gjuetarët, kryesisht të ardhur nga zona të tjera, nga ana tjetër, gjuetarët vendas pohojnë se disa prej kafshëve të egra si; derri i egër, lepuri, kaprolli, janë drejt zhdukjes.

Sipërfaqja e gjerë e masivit pyjor, si dhe shtrirja e tyre larg qendrave të banuara, e bën më të vështirë për specialistët e Ndërmarrjes Pyjeve kontrollin e gjuetisë. Megjithë angazhimin edhe të Policisë Komunale, kontrolli ndaj gjuetisë pa kriter në masivin pyjor të rajonit bëhet i vështirë, thotë Biberaj.

“Për të parandaluar këtë fenomen kemi kërkuar edhe ndihmën e banorëve dhe gjuetarëve vendas që ushtrojnë gjuetinë, pasi në jo pak raste, janë vetë ata që, kundrejt një shpërblimi, shoqërojnë gjuetarët e ardhur”,  thotë Biberaj.

Pika turistike e  Valbonës vazhdon të vizitohet nga më shumë se 100 vizitorë në ditë dhe jo pak prej tyre janë edhe gjuetarët që ushtrojnë çdo ditë gjuetinë në masivet pyjore të rajonit.  Një tjetër shqetësim së fundmi është edhe numri në rritje i personave që disponojnë një armë gjuetie, ku nga 1250 të pajisur me armë gjuetie, vetëm  120 prej tyre janë të regjistruar në shoqatën e “Gjuetarëve”.