Lajme Shqip Thursday, 21 April 2011 17:45

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në një takim ambasadorin e Republikës së Maqedonisë në Prishtinë, Stojan Karajanov, i cili ia dorëzoi letrën e urimit të Presidentit Gjorgji Ivanov.

“Ndjehem tejmase i kënaqur t’ju ofroj urimet e mia për zgjedhjen Tuaj në postin me përgjegjësi të lartë të Presidentes së Republikës së Kosovës. Ju lutem, pranoni urimet dhe dëshirat e mia të përzemërta në përmbushjen e suksesshme të detyrave Tuaja”, thuhet në letër.

Presidenti maqedon më tej shton se “do të doja të përfitoja nga ky rast i shkëlqyer që të paraqes bindjen e fortë që me përpjekjet tona të përbashkëta, në periudhën që do të pasojë, do t’i thellojmë dhe intensifikojmë lidhjet dhe bashkëpunimin miqësor në mes të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës”.

“Sinqerisht besoj që do ta thellojmë bashkëpunimin në mes të dy shteteve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë në nivelin bilateral, rajonal dhe multilateral, duke kontribuar kështu në drejtim të arritjes më të shpejtë të vizionit të përbashkët euroatlantik dhe në drejtim të stabilitetit dhe prosperitet të mëtejshëm të rajonit tonë”, theksohet në letër.

Zyra e shtypit e Presidencës kosovare, e cila njoftoi përmbajtjen e letrës, bën të ditur se në takim me ambasadorin e Maqedonisë në Prishtinë Presidentja Jahjaga foli për marrëdhëniet e mira mes të dy vendeve tona, si dhe theksoi nevojën që Republika e Kosovës të bëhet sa më parë pjesë e iniciativave të ndryshme rajonale.