Lajme Shqip Monday, 09 April 2012 10:47

Gjirokastër – Mungesa e një vendparkimi po krijon kaos të madh në qytetin e Gjirokastrës, pasi prej vitesh në këtë qytet mungon një vendparkim për automjetet, që lëvizin nga ky qytet në segmentin në afërsi të “Urës së Lumit” drejt akseve kryesore nacionale të vendit.

“Problemi i mungesës së një vendparkimi për automjetet në qytetin më të madh të jugut është tepër shqetësues, si për qytetarët ashtu edhe për drejtuesit e mjeteve dhe për fat të keq ende nuk po merr zgjidhje”, tha drejtori Transporteve në Gjirokastër, Bexhet Çobani, i cili bën përgjegjës për këtë gjendje bashkinë e qytetit.

Sipas tij, dhjetëra autobusë, furgonë dhe taksi për shkak të mungesës së një vendi të posaçëm për të parkuar janë të detyruara të bllokojnë aksin e vetëm kryesor nacional, aks ku lëvizet edhe në drejtim të Kakavijës e Sarandës, por edhe në qytetet e tjera të vendit.

Më i dukshëm bëhet kaosi në këtë territor veçanërisht në fund të pranverës dhe fillim të verës, ku lëvizja e turistëve të huaj dhe vendas shënon shifrën më të lartë.

“Për shkak të mungesës së një territori për parkim vështirësohet edhe lëvizja e qindra emigrantëve, që mbijnë nga Kakavija në Gjirokastër e prej andej në drejtim të qyteteve të ndryshme”, thekson Çobani duke shtuar se rruga nacionale e Gjirokastrës është kthyer në tmerr për shoferët dhe pasagjerët.

Në segmentin nacional të “Urës së Lumit” nisen edhe automjetet për në zonat rurale, ku veç rrëmujës së përditshme dhe kaosit të jashtëzakonshëm rreziku i aksidenteve është vazhdimisht prezent, ndërsa jeta e qytetarëve është e kërcënuar.

Drejtori Çobani i bën thirrje bashkisë së qytetit të përcaktojë urgjentisht një territor për parkimin e mjeteve.