Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 12:20

Gjirokastër – Një punëtor i ndërmarrjes Rruga-Urra, humbi jetën, ndërsa një tjetër u plagos lehtë, gjatë një aksidenti rrugor, 1 km larg Gjirokastrës, njoftuan sot burimet zyrtare nga policia lokale, në jug të vendit.

“Hido Bezgo, 60 vjeç, ka gjetur vdekjen e menjëhershme, pasi është aksidentuar rëndë nga automjeti “Mitsubishi”, me targa GJ 9958 A”, bëri të ditur Inspektoriati i Policisë Rrugore, duke nënvizuar se aksidenti rrugor ndodhi rreth orës 10:30 të ditës së sotme.

Gjatë aksidentit rrugor mbeti i plagosur kolegu i tij, Azbi Avduli, aktualisht jashtë rrezikut për jetën.

Sipas të njëjtit burim, një hetim për shkaqet e aksidentit është hapur nga policia lokale, ndërkohë që mendohet se aksidenti ka ndodhur për shkak të shpejtësisë.

Ky është aksidenti i gjashtë i rëndë, i shënuar gjatë këtij viti në qarkun e Gjirokastrës.