Lajme Shqip Sunday, 15 May 2011 11:59

Gjirokastër – Një punonjës policie u arrestua sot si trafikant lëndësh narkotike, pasi të paktën 75 kilogramë lëndë narkotike e llojit mariuanë, u zbulua dhe u sekuestrua nga policia e Gjirokastrës.

Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës thanë për ATSH se “lënda narkotike u zbulua në makinën tip Audi Q7, me targë TR 42 20 T, që lëvizte nga Gjirokastra drejt Tiranës”.

Sipas të njëjtit burim, “makina drejtohej nga 30-vjeçari Ervin Hysa, lindur dhe banues në Ndroq-Tiranë, me detyrë punojës poicie, inspektor në Repartin e Sigurisë së Brendshme dhe Ceremonialeve pranë Ministrisë së Brendshme”.

Lënda narkotike, fshehur në bagazhin e makinës si dhe në vendin e gomave rezervë, ishte blerë në fshatin Lazarat.

Policia, bashkë me lëndën narkotike, sekuestroi edhe një pistoletë të tipit Berete, që iu gjet trafikantit, Hysa.