Lajme Shqip Friday, 19 August 2011 19:35

Gjirokastër – Zjarret e shumta që kanë përfshirë rajonin jugor gjatë kësaj periudhe, kanë dëmtuar jo vetëm sipërfaqe të mëdha kullosore, por dhe mjedisin.

“Retë e tymit prej disa ditësh kanë ndikuar negativisht në mjedis”, deklaroi biologu Lavdim Hasani . Ai theksoi se Lugina e Drinos është më e ndotura nga fenomeni i zjarrit. Për biologun dhe pedagogun e Universitetit të Gjirokastrës, dëmet ekologjike nga zjarret janë më të mëdha se dëmet materiale dhe me pasoja serioze për jetën e njeriut.

Zjarret, sipas tij, kanë prishur dhe shkatërruar hallkat e zinxhirit ushqimor dhe resurse të tjera të shumta që duan vite të normalizohen. “Mjaft insekte të ndryshme në tokë janë djegur, shpendë të shumtë janë larguar në vende të tjera dhe bimësia vështirë të rikthehet në gjendje normale”, thote ai.

Problemi më shqetësues nga zjarret, sipas biologut Hasani, janë gazrat kancerogjene që janë krijuar gjatë djegieve. Në këto kushte, ai thotë se institucionet përkatëse në vazhdimësi duhet të marrin masa për parandalimin e zjarreve.