Lajme Shqip Sunday, 10 July 2011 14:04

Gjirokastër – Të paktën 8 mijë emigrantë dhe turistë të huaj si dhe 2500 automjete, kanë hyrë gjatë ditës së djeshme në pikën turisitke të Kakavijës.

“Edhe pse ka një fluks të lartë dhe në rritje, policia shqiptare dhe greke kanë marrë të gjitha masat për të evituar radhët dhe pritjet e gjata. Për këtë qëllim, policia shqiptare në Kakavijë punon me 9 sportele në hyrje dhe 4 në dalje, ndërsa polica greke me 5 sportele në hyrje dhe 5 në dalje”, bëri të ditur zëdhënësi i drejtorisë së kufirit, Gentian Mullai.

Mullai shtoi se, “fluksi në rritje është i shoqëruar edhe me masa të tjera për qarkullimin në rrugët nacionale dhe për orientim në ndihmë ndaj turistve të huaj”.

Në ditët në vijim, kur rritja e fluksit pritet të jetë edhe më e lartë, parashikohet shtim i numrit të punonjësve, por edhe i sporteleve ku bëhet përpunimi i dokumentacionit.

Ndërkaq, krerët e policisë kufitare në Kakavijë janë në kontakte të vazhdueshme me homologët grekë për të koordinuar veprimet dhe masat në shërbim të lëvizjes së lirë të qytetarëve.