Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 10:16

Gjirokastër – “Sheshi më i madh i zonës historike në Gjirokastër, me emrin simbol “Çerçiz Topulli”, do të zgjerohet me gati dyfishin e sipërfaqes aktuale”, deklaroi Flamur Bime, kryetar i bashkisë dhe njëherësh kandidat i “Aleancës për të ardhmen” në bashkinë e qytetit.

Bime tha se sheshi i Çerçizit do të zgjerohet dhe siperfaqja e tij do të bëhet 5 mijë metra katrore, nga 2500 metra që është aktualisht.

“Zgjerimi i këtij sheshi është domosdoshmëri e zhvillimit turistik të Gjirokastrës, e cila vizitohet nga mijra turistë nga e gjithë bota. Por parkimi i mjeteve të shumta të turistëve është problemi më i madh në zonën historike pasi nuk ka vend për parkim. Turistët, për shkak të mungesës së vendeve të parkimit, kanë qenë të detyruar të largohen nga qyteti pa e vizituar plotësisht atë. Nderkaq, mjaft turistë që kanë pasur dëshirë të flenë në hotelet apo banesat karakteristike të zonës muzeale janë larguar për në Sarandë, pasi rrugicat e ngushta në zonën muzeale si dhe sheshi i mbingarkuar i Çerçizit nuk ofrojnë mundësi parkimi. Është kjo arsye që bashkia e Gjirokastrës përgatiti një projekt modern për zgjerimin e sheshit, realizimi i të cilit arrin në vlerën 1 milionë euro”, tha Bime.

Sipas projektit, parashikohet zgjerimi dhe modernizimi i sheshit në hapesirat pranë Pallatit te Pionerëve dhe kthimi i sipërfaqes në një parkim te madh. Gjithashtu, parashikohet të ndërtohet edhe një kat i nëndheshëm për të mundësuar parkimin e sa më shumë mjeteve.