Lajme Shqip Wednesday, 16 November 2011 19:30

Gjirokastër – Një fond prej 37 milionë lekë të akorduara nga qeveria shqiptare janë investuar muajt e fundit në infrastrukturën e komunës malore të Picarit në rrethin e Gjirokastrës.

Kryetari i kësaj komune, Beqir Gjika, tha se, “ky investim i domosdoshëm ka mundësuar rikthimin në parametra normalë të rrugëve të fshatrave Golem, Kolonjë dhe Medar, të cilat për vite me radhë ishin bërë të vështira për automjetet”.

Sipas tij, në rrugët e fshatrave të komunës së Picarit veçanërisht në stinën e dimrit, ka pasur rëshqitje masive të dherave që kanë bllokuar bllokuar lëvizjen e mjeteve, por edhe të banorëve.

Por veç ndërhyrjeve në rrugët kryesore të komunës, një pjesë e investimit është përdorur edhe në segmentet e brendshme të fshatit Picar, që është edhe fshati më i madh i komunës.

Gjika bëri të ditur se për periudhën katër vjeçare, specialistët e komunës që ai drejton kanë paraqitur pranë ministrive përkatëse projekte ambicioze për financimin e të cilave janë dhënë premtime konkrete nga financuesit.

“Synojmë që gjatë 4 vjeçarit të kemi rikonstruktuar të gjitha rrugët kryesore dhe ato dytësore, përmirësimin e furnizimit me ujë pastrimin e mjedisit nga mbeturinat dhe ndotjet e shumta, rikonstruksionin e shkollave dhe kopshteve “etj ,tha Gjika.