Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 15:48

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Skënder Gjinushi, deklaroi sot se “OSBE dhe BE kanë detyrimin t’i kërkojnë politikës shqiptare plotësimin e kushteve dhe standardeve zgjedhore dhe të mos lejojnë një farsë të re elektorale, të fshehur pas deklaratave demagogjike”.

Gjatë një konference për shtyp, kryetari i PSD-së, një parti e koalicionit të majtë opozitar, reagoi ndaj tryezës së partive politike, e thirrur nga maxhoranca, për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 8 majit, duke u shprehur kritik ndaj deklaratës së Ambasadorit të OSBE-së, Ëollfarth, lidhur me reformën zgjedhore.

“Ambasadori i OSBE-së dje shkoi dhe më larg, duke thënë se ‘Shqipërisë i duhet një reformë zgjedhore pas 8 majit’, por kësaj i thonë ‘terapi pas vdekjes’. Këto qëndrime janë një tallje e hapur me shqiptarët. Shqiptarët nuk janë aq injorantë sa të besojnë se PD, që shkel hapur kodin zgjedhor dhe kushtetutën, tani do të disiplinohet me një marrëveshje”, u shpreh Gjinushi.

Ai theksoi se Shqipërisë i duhen zgjedhje të lira dhe jo zgjedhjet e radhës. “Vota e lirë është për shqiptarët, jo për partitë, siç duan të thonë disa. OSBE dhe BE kanë detyrimin t’i kërkojnë politikës shqiptare plotësimin e kushteve dhe standardeve zgjedhore dhe të mos lejojnë një farsë të re elektorale të fshehur pas deklaratave demagogjike”, nënvizoi kreu i PSD-së në konferencën për shtyp.